Mars 2015—Sektori i tekstilit dhe veshjeve në Shqipëri zë 45% të eksportit të përgjithshëm dhe siguron punësimin e një numri të madh punëtorësh. Tani Qeveria po kërkon nga kjo industri rritjen e mundësive të punësimit, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.
Pavarësisht potencialit për rritje, ekzistojnë disa vështirësi që kanë nevojë të trajtohen, si mungesa e teknikëve të kualifikuar për mirëmbajtjen e makinave qepëse. Ata pak teknikë që operojnë në treg, kanë qenë trainuar para viteve ‘90 dhe janë shumë të kërkuar. Shumica e tyre punojnë si specialistë me kohë të pjesshme për disa shoqëri. Shoqëri të tjera, për të riparuar makina të specializuara, marrin teknikë nga vende të tjera të Europës.
Megjithatë, jo pak programe profesionale ndiqen nga shumë persona që kanë nevojë për trainim dhe për aftësi që të gjejnë punë. Shkollat e mesme profesionale në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe 10 qendrat e trainimit profesional në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, janë të përhapura në mbarë vendin, disa prej tyre në qytete, pranë shoqërive që prodhojnë veshje.
Qendrat mund të ofrojnë kurse të shkurtra 2- deri 4-mujore dhe përmbajnë praktikë në vendin e punës, por ato nuk disponojnë makina qepëse e makineri, si dhe u mungon kontakti efektiv me shoqëritë e prodhimit të veshjeve që të mund të zhvillojnë kurse të tilla.
Në shtator 2013, USAID, përmes ‘Assist Impact’ (AI), OJQ shqiptare, partnere e saj, kontaktoi me një ide Qendrën e Trainimit Profesional # 1 në Tiranë. Qendra do të ofronte një kurs me njohuri fillestare dhe një tjetër të avancuar, me praktikë të detyrueshme pranë shoqërive shqiptare. AI do të përgatiste programin mësimor për të dyja kurset dhe do të merrte leje nga ministria përkatëse. Pas përfundimit të kursit, çdo pjesëmarrës do të zhvillonte 80 orë praktikë në një shoqëri të prodhimit të veshjeve ose të tekstilit.
Qendra ishte entuziaste në bashkëpunimin dhe mbështetjen e saj.
"Para se të fillonim ne, për dhjetëra vjet nuk ka pasur trainime teknike për mirëmbajtjen e makinave qepëse." shpjegon Hanëme Mata, drejtore e Qendrës së Trainimit Profesional # 1.
Asistenca nuk mbaroi me përgatitjen e programit mësimor. Për të lidhur Qendrën me shoqëritë e prodhimit të veshjeve dhe për të siguruar aftësimin praktik, AI u ofroi 4 shoqërive kryesore të prodhimit të veshjeve grante të vogla komplementuese për blerje pajisjesh, në këmbim të dhurimit Qendrës të makinave të përdorura. Gjithashtu AI negocioi me shoqëritë që të ofronin praktika për pjesëmarrësit e kursit.
Për zhvillimin e kursit, AI punësoi një teknik, mjeshtër të mirëmbajtjes së makinave qepëse. Në të njëjtën kohë, Qendra caktoi një nga instruktorët e saj të merrte pjesë në këtë kurs, në mënyrë që, kur të mbaronte asistenca, instruktorja të ishte e aftë ta zhvllonte ajo kursin. Së fundi, Qendra u pajis me tavolina, projektor, mjete e pajisje të tjera të nevojshme për kursin.
Menjëherë pas përfundimit të kursit në korrik 2014, 8 nga 14 pjesëmarrësit u punësuan ose u vetëpunësuan. Qendra filloi një kurs të dytë, pa asnjë ndihmë, duke punësuar një teknik-mjeshtër për të dhënë mësim se bashku me instruktoren e Qendrës.
"Ne po e vazhdojmë këtë kurs, sepse të trainuarit po mundin të gjejnë punë", thotë Mata. "Nuk ka dyshim që ky kurs u përgjigjet nevojave të tanishme të tregut të punës këtu në Shqipëri."
Vështirësi të tjera në industrinë e prodhimit të veshjeve në vend lidhen me konkurrencën e ashpër, sepse vendet e tjera tërheqin klientët me kostot më të ulëta, me paketën e plotë të shërbimeve që nga dizenjimi deri te shpërndarja, dhe me cilësine e lartë të produktit. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e shoqërive shqiptare të veshjeve nuk disponojnë makineri e pajisje bashkëkohore të prodhimit, si p.sh. linja automatike të prerjes ose teknologji kompjuterike për dizenjimin dhe prodhimin (computer-aided design/computer-aided manufacturing - CAD/CAM).
Kjo asistencë është pjesë e projektit të USAID-it “Ndërtim i Kapaciteteve Njerëzore dhe Institucionale”, i cili ka filluar në shtator 2012 dhe mbaron në janar 2016. Projekti synon të forcojë sektorin institucional, qeveritar, jo-qeveritar dhe privat në Shqipëri, teksa vendi përpiqet të kryejë reformat e nevojshme për integrimin europian.
Klikoni në:
Related Stories
- Teknologjia e energjisë alternative ndihmon në krijimin e një partneriteti të veçantë ndërmjet agro-bizneseve shqiptare
- Reformat e mbështetura nga USAID në spitale rezultojnë efektive në përmirësimin e transparencës dhe të përgjegjshmërisë
- Gjyqtarët shqiptarë fillojnë të avokojnë për pavarësi në gjyqësor
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.