Edhe pse kanë arritur suksese, përpunuesit e vajit të ullirit dhe pronarët e serave ndeshin sfida të mëdha në menaxhimin e bizneseve të tyre. Në sektorin e vajit të ullirit, menaxhimi i mbetjeve pas përpunimit është një shqetësim i hershëm si për koston e lartë dhe për mjedisin. Ndërsa për kultivuesit e serave të fidanëve, kostoja e ngrohjes me benzine/naftë është rritur mjaft.
Duke marrë parasysh çmimet në rritje të karburantit që përdoret për ngrohjen e serave ku rriten fidanë, Agro-Koni, një shoqëri me aktivitet eksportues/konsolidues për prodhime të freskëta bujqësore dhe prodhim fidanësh, dhe gjithashtu klient i projektit të USAID për bujqësinë, vendosi të fusë krahas sistemit të gjenerimit të avullit nga ai me benzinë/naftë, edhe atë që përdor mbetje të ullirit. Furnizuesi i gjeneratorit të ri të avullit e udhëzoi këtë shoqëri si të përdorë bersitë e ullirit në vend të lëndës djegëse.
USAID kontaktoi përpunuesit e vajit të ullirit dhe grumbulloi të gjitha të dhënat e nevojshme nga përpunuesit e vajit të ullirit për sasinë - gjendje të bersive të ullirit. Për Ruzhdi Konin, pronarin e shoqërisë Agro-Koni, u mundësuan vizita në terren për të inspektuar cilësinë dhe sasitë-gjendje të mbetjeve të ullirit që mund të shërbenin si burim alternativ energjie.
Si rezultat i këtyre përpjekjeve të bashkërenduara, Agro-Koni bleu 100 ton bersi nga disa përpunues të vajit të ullirit dhe uli koston e ngrohjes me të paktën 50%. Megjithëse përdorimi i bersive të ullirit si burim alternativ energjie është i vogël në stadin aktual, duket se do të jetë një mundësi biznesi, me të ardhme premtuese, për të dy partnerët. E llogaritur me përafërsi, kërkesa vjetore e shoqërise Agro-Koni për bersi ulliri është rreth 2,000 ton. Përpunuesit e vajit të ullirit e vlerësuan gjithashtu këtë përpjekje, sepse ishte jo vetëm një burim i mirë të ardhurash (1 ton shitet me 100 dollarë), por edhe një zgjidhje e mirë dhe e favorshme për mbetjet e ullirit për mjedisin.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.