Shqipëria Përballet me Krizën Energjetike

Një ekspert i huaj ndihmon për zbulimin e veprimeve të paligjshme në një matës.
Një ekspert i USAID-it ndihmon stafin e OShEE-se të zbulojë veprime të paligjshme në një matës të energjisë elektrike në Gjirokastër.
Alken Myftiu, USAID
Kryhen reforma në kompaninë e re të shpërndarjes, në procedurat e mbledhjes së parave nga pagesat, në vlerësimet e punës
“Çdo përparim i bërë deri tani, duhet të jetë i qëndrueshem dhe të shkojë edhe më tej."

Mars 2015- "Kur morëm detyrën, nuk është se kishim vetëm një problem me energjetikën: ajo që gjetëm qe një 'kufomë” energjetike ," ka thënë Ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. "Në sektorin e shpërndarjes kishte një mungesë totale investimesh, ndërsa operatori i shpërndarjes  kish 1.1 miliardë dollarë borxh të akumuluar. E dinim që duhet të bënim diçka dhe e dinim që kishim nevojë për mbështetje nga jashtë."

Në shtator 2013, Gjiknuri kontaktoi USAID-in dhe organizata të tjera donatore që punonin në sektorin e energjisë dhe u kërkoi ndihmë specifike për tri përparësi kryesore të Ministrisë: finalizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore; planifikimin strategjik në sektorin e energjisë; dhe adresimin e krizës financiare dhe operacionale në operatorin e ri të energjisë elektrike, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OShEE), një kompani shërbimesh tashmë shtetërore.

Operatori i mëparshëm i shpërndarjes ishte “ČEZ Shpërndarje”. Nëntë muaj më parë, Shqipëria i kishte hequr ČEZ-it licensën për të operuar në Shqipëri, i kishte konfiskuar asetet dhe e kish nxjerrë kompaninë jashtë vendit, pas vitesh mosmarrëveshjesh mbi tarifat, taksat, humbjet dhe investimet. Si rezultat, ČEZ filloi procedurat e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Shqipërisë.

Me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë, me importin me kosto të lartë të energjisë elektrike, me vjedhjet dhe humbjet në rrjet, kriza në sektorin energjetik në Shqipëri kish arritur kulmin.

Në dhjetor 2013, kryeministri Edi Rama njoftoi ngritjen e Grupit të Punës të quajtur Task Forca ndërministeriale për Energjinë, të kryesuar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, duke u zotuar që shteti nuk do të bënte më një sy qorr ndaj vjedhësve të energjisë.

Në fillim të 2014, USAID mobilizoi një ekip këshillues për të mbështetur Task Forcën. Ekipi zhvilloi një vlerësim të shpejtë dhe gjeti se shkaku kryesor i krizës ishte puna e dobët e kompanisë së shpërndarjes. Kompania nuk ishte në gjendje të faturonte dhe të mblidhte paratë, të nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të veta operacionale dhe për kapital, apo të paguante për importin, prodhimin dhe transmetimin e energjisë.

Vlerësimi arriti gjithashtu në përfundimin se përmasat dhe kompleksiteti i problemit nuk ishin kuptuar mirë në ministri dhe në qeveri, si edhe nga drejtuesit e rinj të kompanisë. Në fakt, qeveria ishte e bindur se, pas largimit të drejtuesve të korruptuar të kompanisë së shpërndarjes, situata do të përmirësohej automatikisht.

Ekipi këshillues i USAID-it sqaroi përparësitë e sektorit, komponentët e rëndësishem të problemit, dhe rolin e qeverisë në zgjidhjen e tyre.

Më konkretisht, deri në mars 2014, ekipi këshillues i dorëzoi qeverisë një raport që identifikonte 14 veprime kryesore, shoqëruar me afatet dhe me palët përgjegjëse. Gjatë pranverës dhe verës, ekipi punoi ngushtë me drejtuesit e OShEE-së për të përgatitur dhe për të filluar përdorimin e një sistemi për vlerësimin e punës, i cili përmbante objektiva mujorë, tremujorë dhe vjetorë për humbjet dhe mbledhjen e pagesave, dhe rishikonte procedurat e biznesit të OShEE-së.

Deri në shtator 2014, qeveria zbatoi plotësisht shumicën e 14 veprimeve kryesore dhe arriti përparim të rëndësishëm në përgjithesi, kompania e shpërndarjes mori mbështetje të fuqishme në të gjitha drejtimet, që nga ndryshimet e nevojshme rregullatore deri te mbështetja e paprecedent për zbatimin e ligjit gjatë fushatës së qeverisë për anti-vjedhje dhe anti-korrupsion.

Këto masa dhanë rezultate inkurajuese dhe të shpejta me përfitim financiar për kompaninë. Me zvogëlimin e humbjeve dhe me shtimin e mbledhjes së parave që pasuan rekomandimet e USAID-it për të reformuar modelin e biznesit të OShEE-së dhe për të filluar përdorimin e vlerësimit të punës, të ardhurat u rritën me 90 milionë dollarë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit fiskal 2013. Duke regjistruar 3 300 konsumatorë të paligjshëm, nga mbi 15 000 të identifikuar si të tillë, të ardhurat e OShEE-së pritet të rriten me më shumë se 5.3 milionë dollarë në vit.

Me gjithë suksesin e fillimit, puna e OShEE-së është ende larg asaj së duhur. Puna e saj dhe e qeverisë për të goditur vjedhjen e energjisë, kërkon përpjekje të qendrueshme dhe drejtim në vazhdimësi.

"Rasti i Shqipërisë ka qenë shumë i veçantë; një situatë e tmerrshme në OSSh [Operatori i Sistemit të Shpërndarjes], por një mbështetje e paprecedent nga qeveria për kompaninë. Sfida për OSSh-në ka qenë që të arrijë pritshmëritë dhe ka ende punë për të bërë. Çdo përparim i bërë deri tani, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe të shkojë edhe më tej", thotë Givi Jgarkava, kreu i ekipit këshillues të USAID-it.

"USAID ishte i pari që i ofroi ndihmë sektorit të bllokuar të shpërndarjes, me ekspertizë praktike nga njerëz dhe vende që kanë kaluar një tranzicion të tillë të dhimbshëm", thotë Gjiknuri. "Ata punuan me ekipe shqiptare për probleme praktike dhe për çështje të ndërlikuara e komplekse. Kjo ndihmë, pa dyshim, përmirësoi proceset e performancës dhe të biznesit brenda OSSh-së, duke hedhur kështu farat e suksesit të ardhshëm dhe të përgjegjshmërisë e llogaridhënies brendapërbrenda kompanisë”.

Projekti ishte pjesë e Programit Rajonal për Zhvillim, të USAID-it për Europën dhe Euroazinë, ‘Emetimi i Ulët i Gazrave dhe Energjia e Pastër’, i cili u zhvillua nga 2011 deri në 2014. Ndihma për Shqipërinë  synonte të ndihmonte qeverinë që të siguronte furnizimin e vendit me energji dhe të reformonte sektorin e energjisë.

KLIKONI NË:

Follow on Facebook, on YouTube