Për Shpërndarje të Menjëhershme
TIRANA, SHQIPËRI--Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), organizoi sot një konferencë për prezantimin e një platforme të pagesave të lëvizshme, për të rritur gjithëpërfshirjen në sistemin financiar në Shqipëri. Konferenca u fokusua në prezantimin e platformës së pagesave nëpërmjet celularit, me theksin mbi mundësitë që do të sjellë kjo teknologji në tregun shqiptar, si dhe mbi sfidat për zbatimin e suksesshëm të saj.
Për të ofruar një vështrim të plotë të rrugës që duhet ndjekur për një zbatim të suksesshëm, kjo veprimtari mblodhi së bashku institucione kryesore të sektorit të pagesave, të tilla si banka, institucione financiare jo-bankare, operatorë të rrjeteve celulare, përfaqësues të qeverisë, kompani të shërbimeve publike dhe ente rregullatore. Ekspertë të projektit të USAID-it, Financial Services Volunteer Corps (FSVC), dhanë informacione me vlerë rreth zhvillimeve më të fundit globale në teknologjinë e pagesave të lëvizshme, dhe vlerësuan mundësitë e zbatimit në kontekstin shqiptar. Pas prezantimeve, diskutimet e hapura bënë që të gjitha palët e interesuara të shkëmbenin pikëpamjet e tyre për këtë çështje.
Kjo veprimtari përbën një hap të rëndësishëm drejt arritjes në një platformë ndërvepruese të pagesave të lëvizshme, me synim lehtësimin e gjithëpërfshirjes në sistemin financiar në Shqipëri, duke siguruar shërbime financiare kundrejt nje kostoje të përballueshme për qytetarët shqiptarë. Përmes kësaj teknologjie inovative, USAID synon të promovojë përdorimin e lehtë e të thjeshtë të shërbimit të pagesave nga ana e qytetarëve që nuk përdorin sistemin bankar, duke u mundësuar atyre pagesën, nëpërmjet celularit vetjak, të faturave të shërbimeve të ndryshme dhe të të tjerave detyrime financiare periodike.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.