![USAID dhe "Assist Impact" Mbështesin Fuqizimin e të Rinjve në Shqipëri USAID dhe "Assist Impact" Mbështesin Fuqizimin e të Rinjve në Shqipëri](https://2012-2017.usaid.gov/sites/default/files/styles/732_width/public/pressreleases/USAID_Albania_Youth%20%281%29.jpg?itok=ED_MviPB)
Për Shpërndarje të Menjëhershme
TIRANA, SHQIPËRI--Sot, USAID-i dhe organizata 'Assist Impact', nënshkruan 7 Marrëveshje për Grante, për projekte që synojnë fuqizimin e të rinjve. I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Henry Jardine, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave, Edmond Panariti, mbajtën fjalët e rastit në këtë ceremoni. Synimi i granteve është rritja e mundësive të punësimit dhe fuqizimi i të rinjve që të jenë aktivë në shoqëri.
“Assist Impact” po zbaton një projekt 3-vjeçar për USAID/Shqipëri, të quajtur: "Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale", që synon të mbështetë OJQ-të vendore, agjencitë qeveritare dhe shoqatat e biznesit, që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të punojnë në mënyrë më efektive. Si pjesë e këtij projekti, “Assist Impact”, përmes një procesi konkurrues, ka përzgjedhur 7 OJQ nga e gjithë Shqipëria, për të mbështetur fuqizimin e të rinjve, duke u fokusuar kryesisht në punën jashtë Tiranës.
Veprimtaria e sotme shënoi nënshkrimin e këtyre 7 marrëveshjeve për grante. OJQ-të e përzgjedhura janë:
- Creative Business Solutions do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trejnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim bulmetrash, në prodhim frutash e perimesh, bimë mjekësore e erëza, në ruajtjen në mjedise ftohtëse dhe serat;
- Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZhR) Korçë do të punojë me bizneset dhe me të rinjtë në zonën e Korçës, për të ngritur kapacitetet e të rinjve, të kërkuara nga bizneset vendase;
- Albania Rafting Group do të trejnojë të rinj për të punuar si guida, do të zhvillojë trejnim të specializuar për ndihmën e shpejtë për guidat në sportin e rafting-ut, si dhe do të punojë me menaxherët e shtëpive mikpritëse (Guest House) dhe për materialet informative;
- Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (ShIZhK) do të trejnojë dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjve në video-produksion (në Bulqizë), dhe në profesione si hidraulik, elektricist dhe punime artizanale (në Laç);
- Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEEA) do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnjë, Shkodër, Korçë dhe Kukës, ku ajo ka identifikuar nevojën për specialistë lidhur me ndërzimin artificial, me kontrollin e mastitit, dhe me kujdesin ndaj thundrave të gjedhit dhe të të imëtave;
- Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë do të zhvillojë trejnime, do të kërkojë mundësi për praktikë profesionale (internship) dhe do të punësojë studentë ose të sapodiplomuar në vende të ndryshme pune në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë;
- Epoka e Re Fier do të nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike, duke krijuar Grupe Këshillimi të të Rinjve në Patos dhe Fier, të cilat do të lidhen e do të komunikojnë me strukturat e qeverisjes për çështje të interesave të veçanta për të rinjtë.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.