Kultivimi i mjedrës rrit mirëqenien për familjen Kosovare

Kultivimi i mjedrës rrit mirëqenien për familjen
Fermeri i Kosovës Bashkim Qerimi tregon vjeljen e bollshme të mjedrës që frymëzoi familjen dhe fqinjët e tij që gjithashtu të kultivojnë pemë të imëta.
USAID AGRO program
Të ardhurat e sigurta ndihmojnë në shlyerjen e borxhit, rritjen e kursimeve.
“Unë jam krenar të them se ia ka vlejt ta lë punën e ndërtimtarit dhe të hyj në biznesin bujqësor për të dhënë 100 për qind nga vetja”

Gusht 2016 — Pavarësisht suksesit të hershëm në kultivimin e mjedrave, Bashkim dhe Florije Qerimi zhvilluan me kujdes biznesin e tyre të sapo themeluar.

Në vitin 2015, gjatë një sezoni të parë jashtëzakonisht të frytshëm, ata kanë shitur gjashtë ton mjedra, duke gjeneruar të ardhura prej 12,400 $. Në sezonin e tyre të dytë, çifti e zgjeroi shpejt fermën e tyre me më shumë se katërfish, deri në 1.3 hektar. Si rezultat i kësaj, ata tani janë duke pritur prodhim më të lartë — dhe fitime më të mëdha.

“Sezonin e parë unë kisha frikë për ta lënë punën time si punëtor ndërtimi. Florija e udhëhoqi tërë punën në mbjelljen e 0.3 hektarë mjedra gjatë vitit të parë, thotë Bashkim Qerimi.

Menjëherë pasi familja e rriti pemishtën e tyre, Bashkimi la punën e tij në ndërtimtari dhe filloi të merrej veçanërisht me bujqësi krah gruas së tij.

USAID-i përmes programit Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale punon për të rritur të ardhurat e shumicës së popullatës rurale të Kosovës. Një nga mënyrat e këtij synimi është inkurajimi i zhvillimit të industrisë së mjedrës në këtë vend të vogël të Evropës Juglindore. Industria, edhe pse e vogël, ka një potencial të madh si një vendburim i frutave të freskëta dhe të ngrira për tregjet vendore, rajonale dhe evropiane.

Familja Qerimi tashmë ka shlyer të gjitha borxhet e marra në kohën kur e kanë filluar pemishtën e tyre të mjedrës. Ata gjithashtu kanë parë se standardi i tyre i jetesës është përmirësuar, dhe kanë filluar edhe të vënë mënjanë disa kursime.

“E gjithë kjo nga bujqësia, dhe vetëm nga një vjelje e mjedrës," thotë Bashkimi. “Unë jam krenar të them se ia ka vlejt ta lë punën e ndërtimit dhe të zhytem në biznesin bujqësor për të dhënë 100 për qind nga vetja.”

Ndërmarrja e familjes ka futur në punë edhe njerëz të tjerë të fshatit të tyre, që gjendet në verilindje të Kosovës. Bashkimi dhe Florija punësojnë 12 gra gjatë vjeljes, duke u paguar atyre 10 cent më shumë për kilogram të vjelur se sa kultivuesit e tjerë, dhe duke i shpërblyer ato për punën e vështirë të cilën çifti e ka përjetuar në fillim.

Tre fëmijët e familjes Qerimi gjithashtu kontribuojnë, por në një bazë të kufizuar pasi që shkolla ka prioritet. "E kam të vështirë që t'i largoj fëmijët nga fusha," thotë Bashkimi duke qeshur.

Suksesi i familjes ka shtyrë shokët, fqinjët dhe familjen — e në mesin e tyre, katër nga vëllezërit e Bashkimit — për të filluar kultivimin e mjedrave në zonë.

“Duke parë suksesin tonë, i tërë fshati ka ndjekur hapat tona," thotë Bashkimi. “Ata thonë se unë i frymëzoj ata me atë që kam bërë për familjen time, dhe kam filluar të besoj në këtë. Jam kaq i lumtur dhe krenar që kam hyrë në biznesin e bujqësisë me çdo gjë që kam.”

Kultivimi i mjedrës në Kosovë ofron rritjen e mundësive për krijimin e vendeve të punës - asnjë industri tjetër në vend nuk është duke gjeneruar dhe mbështetur këtë nivel të punësimit. 1,000 hektar tashmë të kultivuar kanë krijuar më shumë se 3000 vende pune me kohë të plotë në gjithë vendin.

Programi pesë-vjeçar Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale, i cili ka filluar në vitin 2015, i ka dhënë ndihmë teknike familjes Qerimi në ngritjen e fermës së tyre të mjedrës.

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube