Qershor 2016 – Për herë të parë pas 20 vitesh, u riparua një rrugë e cila kalon nëpër fshatin Banjskë, në pjesën veripërendimore të Kosovës, duke u mundësuar kështu komuniteteve të fshatit, atij shqiptar dhe serb, që të afrohen në mes veti.
Fshati Banjskë ka 900 banorë dhe është njëri prej 67 fshatrave të Komunës së Vushtrrisë. Gjatë 20 viteve të fundit, gjendja e keqe e rrufgës së tij vështirësonte lëvizjen e banorëve. Gjatë sezonit të shirave dhe muajve të dimrit, nxënësit dhe udhëtarët nga Banjska bënin një rrugëtim të mundimshëm për të arritur në shkollë dhe punë. E për ta bërë gjendjen edhe më të keqe, lumi i cili rridhte përgjatë kësaj rruge rregullisht vërshonte në tokat bujqësore, duke i bërë ato të paqasshme për javë të tëra dhe duke dëmtuar të mbjellat.
Në pranverën e vitit 2015, gjatë një takimi të organizuar nga programi Avancojmë Kosovën së Bashku (AKT), banorët e fshatit shprehën dëshirën e tyre për një rrugë më të mire. Në tetor, programi së bashku me Komunën e Vushtrrisë, përfundoi rehabilitimin e rrugës së fshatit bashkë me kanalet kulluese. Komuna morri përsipër sigurimin e 20 përqind të kostos së implementimit të projektit si dhe mirëmbajtjen e tij në të ardhmen.
Reagimi i banorëve ishte jashtëzakonisht pozitiv. Dojqin Danqetoviqi, i cili ishte pjesëmarrës aktiv në punët ndërtimore, tha se para rehabilitimit të rrugës, ajo ishte e shkatërruar në masën prej 90 përqind: “Gjatë sezonit të shirave dhe dimrit, ne mezi mund të ecnim përgjatë kësaj rruge, ndërsa ngasja e veturës nëpër te ishte e pamundur. Kushtet ishin me të vërtetë të tmerrshme,” thotë ai. “Tani, rruga në gjatësinë prej 370 metra, së bashku me dy ura dhe murin mbështetës, janë rehabilituar. Fqinjët e mi janë të lumtur për këtë.”
Danqetoviqi gjithashtu vë në pah faktin se për shumë nga pjestarët e moshuar të komunitetit të tij, të cilëve u nevoitet përkujdesje mjekësore e vazhdueshme, jeta është bërë më e lehtë tani. Desanka Danqetoviqi, një banore 74-vjeçare e cila jeton vetëm, thotë se rruga e re ka bërë që spitali të jetë shumë më i qasshëm pët te: “Jam shumë e lumtur për këtë! E as vërshime nuk do të ketë më.”
Hasan Gani, pronar i një dyqani për riparimin e traktorëve në Vushtrri, thotë se rrugët rurale janë jetike për zhvillim në Kosovë, sepse rrugët më të mira hapin mundësi të tregtimit të cilat e bëjnë më fitimprurëse marrjen me bujqësi: “Rëndësia që ky projekt ka për ne vështirë se mund të shprehet me fjalë,” thotë Gani. “Kjo rrugë gjithashtu ka rëndësi të madhe për vendosjen e lidhjeve në mes të komuniteteve shqiptare dhe serbe, sepse ajo zvogëlon distancën në mes shtëpive tona. Shumë familje janë zhvendosur nga fshati për shkak të kushteve të vështira të jetesës. Por kjo rrugë e re do të na lehtësojë jetën.”
Ngjashëm, në mars të vitit 2016, asfaltimi i një rruge një-kilometërshe të shtruar me zhavorr në Komunën e Istogut i dha një shtytje të menjëhershme jetës shoqërore dhe lidhjeve ekonomike të 122 banorëve të fshatit Dragolec dhe gati 400 banorëve të fshatrave përreth.
“Rehabilitimi i rrugës së fshatit do të thotë shumë për komunitetin tonë, sidomos për të kthyerit. Ai ka përmirësuar jetën tonë të përditshme. Nuk ka më baltë dhe gropa përgjatë rrugës, ndërsa fëmijët tanë tani mbërrijnë në shkollë të panjollosur nga balta dhe me këpucë të thata,” shpjegon Dalibor Sedllareviqi, banor i Dragolecit. “Rruga ka përmirësuar edhe sigurinë e përgjithshme të trafikut si dhe raportet me fqinjët tanë shqiptar, sepse ajo nuk kalon vetëm nëpër lagjen tonë [serbe] por edhe nëpër lagjet e komuniteteve shqiptare, boshnjake, dhe rome.”
Komuna kishte shtruar rrugën lokale me zhavorr disa herë, por mungesa e mjeteve financiare kishte pamundësuar asfaltimin e saj. Tani, investimet e USAID-it i’a kanë bërë të mundur pushtetit lokal që të bëjë më tepër me fondet që disponon duke arritur rezultate më të mira dhe më jetëgjate në dobi të komuniteteve dhe lidhjeve në mes tyre gjatë viteve të ardhshme.
Programi Avancojmë Kosovën së Bashku, i cili vepron nga viti 2014 deri në vitin 2017, është i dizajnuar për të afruar së bashku grupet shumicë dhe pakicë me qëllim të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
LINKS
Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.