Në Kosovë, bujqësia është biznes që jep zemërgjerësisht

Në Kosovë, bujqësia është biznes që jep  zemërgjerësisht
Trimor Hyseni 27-vjeçar është frymëzimi më i ri në bujqësinë e rajonit të Ferizajt.
Programi i USAID-it për Zhvillim Bujqësor dhe Mundësi Rurale (Tetra Tech)
Investimet në bujqësi po tregohen fitimprurëse për kosovarët e rinj.
“Erdha në përfundim se investimi në bujqësi është po aq fitimprurës sa edhe investimi në çfarëdo veprimtari tjetër afariste. Është një biznes i mirëfilltë, i cili sjellë përfitime.”

Gusht 2017 – Duke qenë djalë qyteti, Trimor Hysenit 27-vjeçar as në ëndërr nuk i kishte shkuar ndërmend që një ditë do të bëhej fermer i mjedrave dhe frymëzim për të rinjtë në Kosovë.

Në pranverën e vitit 2016, ai bleu me mjete vetanake 24.000 fidane të mjedrës të cilësisë së lartë dhe i mbjelli ato në 3 hektarë tokë që morri me qëra. Idea e tij për të nisur një biznes në bujqësi dhe investuar në kultivimin e mjedrës erdhi si rrjedhojë e shumë hulumtimeve dhe bisedave me kultivuesit ekzistues.

“Erdha në përfundim se investimi në bujqësi është po aq fitimprurës sa edhe investimi në çfarëdo veprimtari tjetër afariste. Është një biznes i mirëfilltë, i cili sjellë përfitime.”

Reputacioni i bujqësisë si veprimtari afariste po inkurajon shumë të rinj për t’u angazhuar në këtë sektor. Aktualisht, më shumë se 70 përqind të numrit prej afro 3.000 kultivuesish të mjedrës janë fermerë të rinj, të etur për të ndjekur shembullin e Hysenit dhe të tjerëve.

Është sezonë e vjeljes për Hysenin dhe fermerët tjerë të rinj. Vitin e kaluar ai vjeli 20.000 kilogram mjedra, në vlerë prej 25.000 euro, ndërsa këtë vit ai parasheh një vjelje prej 35.000 kilogramësh. Gjatë kohës së vjeljes, Hyseni punëson mbi 20 puntorë sezonal.

Hyseni është njëri nga shumë fermerë të cilët kanë marrë ndihmë nga programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i ciili e ka këshilluar atë që nga koha kur ai filloi të planifikojë për ndërmarrjen e tij të re, përmes zhvillimit të analizave, përgatitjes për mbjellje dhe menaxhimit të të mbjellave, e deri tek vjelja. Trajnimi në menaxhim të të mbjellave i ndihmoi atij që të maksimalizojë rendimentin.

“Mendoj se njëra ndër gjërat më të rëndësishme që kam bërë është se u jam përmbajtur këshillave teknike që mora nga programi i USAID-it. Udhëzimet ishin të vazhdueshme, të lehta për t’u ndjekur dhe doli se ishin vendimtare për ndërtimin e biznesit tim që nga fillimi i tij,” shpjegon Hyseni.

Ajo që ishte thelbësore, ky fermer kuptoi se materiali i mirë mbjellës “nuk kushton, por paguan,” dhe ai investoi në fidanet e cilësisë më të lartë që ishin të qasshme. Investimi i tij i gjithmbarshëm në mbjelljen e 3 hektarëve ishte 35.000 euro, të siguruara nga biznesi i tij shumëvjeçar i shitjes me pakicë në Ferizaj.

Me rezultatet e mira të arritura deri tani, Hyseni planifikon të marrë me qëra edhe 3 hektarë tjerë tokë dhe t’i përkushtohet në tërësi punës me mjedra duke e bërë atë biznesin e tij kryesor. Ai planifikon që të shtojë edhe një objekt të ftohjes, në mënyrë që mjedrat t’i mbajë të freskëta për kohë më të gjatë dhe rrjedhimisht të realizojë çmime më të mira.

Programi Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale i cili vepron nga viti 2015 deri në vitin 2020, punon në drejtim të forcimit të konkurentshmërisë së agrobizneseve kosovare të shënjestruara duke rritur prodhimtarinë bujqësore të vendit, tregtueshmërinë dhe reagimin e duhur ndaj tregjeve vendore dhe atyre të eksportit.

Të gjithë 3.000 kultivuesit sikurse Hyseni, kanë përfituar nga trajnimet në planifikim, kultivim dhe korrje si dhe në menaxhim të ujitjes, shfrytëzim të inputeve bujqësore për të realizuar rendimente maksimale dhe vendosje të lidhjeve me pika të grumbullimit dhe tregje. Në shumë raste, kultivuesit janë mbështetur duke shfrytëzuar edhe burimet financiare të komunave.

LINKS

Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube